Secondary Adv

Bordi i Paqes: Rama niset drejt Uashingtonit, Presidentja Osmani konfirmon pjesëmarrjen

Kryeministri Edi Rama udhëton drejt Washingtonit për ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes, ndërsa Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka konfirmuar pjesëmarrjen më 19 shkurt.

Ceremonia në Institutin për Paqe të Trumpit

Kryeministri Edi Rama është nisur drejt Washingtonit në përgjigje të ftesës së Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes. Ceremonia do të zhvillohet më 19 shkurt në Institutin për Paqe të Trumpit në Washington.

 

Në një njoftim zyrtar, Kryeministria bëri me dije se Rama ka theksuar se Shqipëria nuk do të kontribuojë financiarisht për anëtarësim apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por do të kontribuojë “me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes”.

Sipas njoftimit, Bordi i Paqes i iniciuar nga Presidenti Trump synon forcimin e paqes në Lindjen e Mesme dhe një qasje të re për zgjidhjen e konfliktit global.

 

Osmani konfirmon pjesëmarrjen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të themelimit të Bordit të Paqes. Pjesëmarrja e saj është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga këshilltari për media, Bekim Kupina.

 

Presidenti Trump ka bërë të ditur përmes postimeve në rrjete sociale se gjatë ceremonisë do të njoftohet se vendet anëtare janë zotuar për më shumë se pesë miliardë dollarë për përpjekjet për rindërtim dhe ndihmë humanitare për Gazën, si dhe për angazhimin e mijëra trupave në një Forcë Ndërkombëtare Stabilizuese për garantimin e sigurisë dhe paqes për banorët e Gazës.

Nga Presidenca e Kosovës është konfirmuar më herët se shtetit nuk i është kërkuar pagesë prej 1 miliard dollarësh për pjesëmarrjen në këtë nismë.

 

Mandati dhe përbërja e Bordit

Bordi i Paqes përbëhet nga 27 anëtarë, mes të cilëve Shqipëria dhe Kosova. Ai është autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për të mbikëqyrur zbatimin e armëpushimit në Gazë dhe për t’u angazhuar në aspektin e qeverisjes dhe rindërtimit.

 

Themelimi i Bordit ishte paraparë në planin 20-pikësh të Trump për paqe në Gaza, i cili është pranuar nga Izraeli dhe Hamasi në tetor 2025 për t’i dhënë fund luftimeve dyvjeçare. Një pjesë e konsiderueshme e vendeve të Bashkimit Europian nuk i janë bashkuar kësaj nisme.

 

Burimi: Euronews


Më të lexuarat